Gjatë një linje direkte të gazetarëve të CNN-it, derisa po shfaqnin hartën e Evropës vërehet se Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.
Në momentin kur kolonel Cedric Leighton po tregonte në hartë targetin e Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës vërehet se Kosova nuk paraqitet në hartë si shtet në vete, raporton Shqip.com.
Rrjeti televiziv CNN në vitin 2012 kishte marrë 1 milionë euro për të bërë promovimin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Iniciativa ishte ndërmarrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Promovim të Investimeve për të bashkëpunuar me mediumin e njohur CNN, për katër vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Kampanja njëvjeçare kishte për qëllim promovimin e potencialeve ekonomike, investuese dhe turistike të Kosovës. Spotin do e kishte përgatitur CNN Tunner Commercial Production.
Në spotin promovues, ishte lëshuar një gabim në obileskun “Newborn” ku shkronja “B” është e ngjyrosur dhe dukej sikur “P”.
Me ndërhyrjen e Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë, rrjeti televiziv amerikan CNN ka përmirësuar gabimin.
Lajmin e kishte konfirmuar ministrja e MTI-së Mimoza Kusari- Lila.
“Ashtu sikur premtuam, korrigjimi ne reklamën e CNN për 4-vjetorin e pavarësisë u realizua dhe linkun me korrigjim po ua përcjell të bashkangjitur. Ju falënderoj të gjithëve për komentet, reagimet, mbështetjen dhe kritikat. Të gjitha kontribuojnë në përmirësimin e performancës tonë si Ministri dhe rrjedhimisht në të mirë të Kosovës”, kishte shkruar ministrja.