Për ditë të tëra, banorët e Kievit ishin përgatitur për një autokolonë 40 milje të gjatë me tanke ruse, automjete të blinduara dhe artileri që do të shërbente për të pushtuar kryeqytetin ukrainas, Kievin.
Ndonëse kanë kaluar ditë, ende nuk po duket mbërritja në kryeqytet e kësaj autokolone.
Të enjten, ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se karvani duket se ka ngecur rreth 30 kilometra (19 milje) jashtë Kievit dhe ka bërë “pak përparim të dukshëm” gjatë tre ditëve të fundit, duke iu referuar edhe burimeve nga Inteligjenca britanike.
“Trupa e kolonës së madhe ruse që përparon në Kiev mbetet mbi 30 km nga qendra e qytetit, pasi është vonuar nga rezistenca e fortë ukrainase, defektet gjatë rrugës apo dhe bllokimi. Kolona ka bërë pak përparim të dukshëm në më shumë se tre ditë,”, thuhet në deklaratë MB-së.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby pohoi se autokolona “mbetet e bllokuar”, ndërsa shtoi se ndoshta ky është një plan për të qenë në gjendje që këto forca të marrin ndihma në qytetet ku rusët kanë marrë pushtetin. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane iu tha gazetarëve se megjithëse autokolona po vuan mungesë karburanti dhe ushqimi, SHBA-të kanë vlerësuar se rusët “do të mësojnë përsëri nga këto hapa të gabuara dhe këto pengesa dhe do të përpiqen t’i kapërcejnë ato”.
Ja çfarë thonë pamjet dhe ekspertët
Një përparim i ngadaltë është bërë nga autokolona ruse, që po “marshon” me artileri të rëndë, tanke e raketa drejt Kievit.
BBC shkruan se autokolona 60 milje e gjatë, është duke iu afruar kryeqytetit ukrainas nga ana veriore dhe aktualisht ndodhet 30 km larg saj. Sipas raportimeve, ngecja, ka ndodhur për shkak të një problemi teknik të mjeteve.
Sakaq, edhe pse rusët kanë bërë luftime të ashpra, qytetet Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol mbeten në kontrollin e ushtrisë vendase.b.web.