Ideja e partisë opozitare Alternativa për Gjermaninë (AfD), për daljen e Gjermanisë nga Bashkimi Evropian, ka synim fitimin e votave para zgjedhjeve të shtatorit, por shanset për realizimin e saj janë jashtëzakonisht të vogla, ndërsa ndryshimi në strukturën e BE është mbështetur nga qytetarët gjermanë, sipas ekspertëve rusë, transmeton Kosova Post.
Në Asamblenë e Partisë Alternativa për Gjermaninë në Dresden, me shumicë votash u miratua kërkesa për të ndryshuar programin zgjedhor të partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Gjermani, përfshirë këtu edhe programin për daljen e vendit nga BE. Në një debat të gjatë, kreu i AfD, Jerg Mojten, i cili është anëtar i Parlamentit Evropian, foli kundër kësaj ideje. Ai paralajmëroi se AfD nuk do të kishte sukses nëse deklaronte tërheqjen e saj nga BE dhe theksoi se do të ishte më e mençur të bashkëpunonte me palët e tjera.
Ideja e daljes së Gjermanisë nga BE, ide në ajër
Alexander Kamkin, bashkëpunëtori i Institutit për Evropë në Akademinë e Shkencave të Rusisë, deklaron se tërheqja e Gjermanisë nga Bashkimi Evropian mund të thuhet vetëm teorikisht, sepse Alternativa për Gjermaninë është një parti e opozitës dhe, sipas mendimit të tij, ka kohë që është destinuar të jetë një opozitë e përjetshme dhe “alternative”, të tilla si, për shembull, Lvizja Kombëtare në Francë ose Partia e Pavarësisë (UKIP) në Britaninë e Madhe.
“Sidoqoftë, vetë ideja e tërheqjes së Gjermanisë nga BE po rri ’pezull’ në ajër dhe një përqindje mjaft e madhe e gjermanëve mbështesin idenë, nëse jo tërheqjen nga BE, atëherë ndryshimin e strukturës. Arsyeja për këtë është fakti që Gjermania, së bashku me Francën, është sponsori kryesor i vendeve më pak të zhvilluara të Bashkimit Evropian dhe programeve të ndryshme që synojnë promovimin e integrimit jashtë Bashkimit Evropian, madje edhe në Ballkan. Prandaj, gjermanët nuk janë të gatshëm të paguajnë për gjithçka. Paralajmërimi i parë ishte kriza e borxhit në Greqi 2010-2011, që ishte shtysa për krijimin e Alternativës për Gjermaninë. Testi tjetër për qëndresën e BE-së, ishte kriza e migracionit dhe rritja e popullaritetit të AFD që ndodhi në periudhën 2014-2016”, është shprehur Kamkin për Sputnik.
“DEXIT” bëhet hit në Twitter
Hashtagu #DEXIT (dalja e Gjermanisë nga Bashkimi Evropian për analogji me Brexit – dalja e Britanisë së Madhe nga BE) u bë një nga më të popullarizuarit në Twitter të dielën, raportoi gazeta “Welt”.
Vladislav Belov, Nëndrejtori i Institutit për Evropën në Akademinë e Shkencave të Rusisë, thekson se tërheqja e Gjermanisë nga BE është një ide tradicionale e AfD-së, e cila është aktualizuar tani, ide kjo e propozuar nga themeluesit e saj që tashmë nuk janë aty. AfD është një parti opozitare, e cila po përpiqet të luajë rolin e një opozite kreative, siç thotë Belov, duke besuar se do të marrë vota shtesë brenda fushatës parazgjedhore në Bundestag.
“Sipas mendimit tim, vendimi për të propozuar diçka si kjo është i gabuar. Më shumë gjasa do të jetë në programin e tyre zgjedhor. Prandaj, partia AfD, e cila nuk arriti të merrte vota shtesë në situatën me virusin Corona, po kërkon një zonë në të cilën mund të demonstrojë potencialin e saj opozitar. Sipas sondazheve, AfD do të marrë rreth 10 për qind të votave. Dhe pyetja është nëse do t’i marrin edhe ato. Mendoj se kjo ide do të mbështetet nga një pakicë e elektoratit të tyre. Sidoqoftë, kjo nuk është Britania e Madhe dhe për mendimin tim, ky është popullizëm”, theksoi Belov.
Gjasat e Alternativës në zgjedhje
Alexander Kamkin, përmend faktin se në pjesët lindore të Gjermanisë, AfD dikur zinte vendin e parë në zgjedhjet për parlamentet provinciale. Sidoqoftë, Kamikin shprehet i bindur se në nivelin federal, në zgjedhjet e shtatorit për Bundestag, Alternativa për Gjermaninë, nuk do të marrë më shumë se 15% të votave sepse thotë ai kjo parti nuk është aq popullore në pjesën perëndimore.
Pozita kryesore atje janë të Gjelbërit, pra pjesërisht partia e së majtës, tha eksperti, duke shpjeguar se të Gjelbërit mbështesin integrimin evropian, si dhe Partinë Demokristiane (CDU) të Angela Merkel.
“Prandaj, mund të themi se vetëm ngritja e çështjes së daljes së Gjermanisë nga BE është një lloj kontrolli politik dhe një lloj populizmi që synon tërheqjen e votave për opozitën. Natyrisht se jo gjithçka është ideale në BE dhe nevojitet zhvillim e ndryshim, prandaj edhe sugjerimi opozitar u miratua me shumicë votash nga anëtarësia. Nëse autoritetet do të dëgjojnë mendimin e qytetarëve është një pyetje tjetër. Tani për tani, unë dua të theksoj se tërheqja e Gjermanisë nga BE është jashtëzakonisht e vështirë, sepse praktikisht të gjitha institucionet e integrimit evropian janë të lidhura me këtë vend”, përfundoi Kamkin.