Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë kanë nxjerrë – siç është pritur – Vetëvendosjen (apo VV-në) si fituese të qartë. Sipas rezultateve ende jo zyrtare, VV ka fituar gati 48 për qind të votave dhe përparësi vendimtare në Kuvendin e Kosovës me mbi 50 ulëse nga gjithsej 120.
Ky është çasti i Albin Kurtit. Lideri i VV-së, ende i ri në moshë, i artikuluar, ka qenë Kryeministër për dy muaj edhe vitin e kaluar. Administrata e Trump nuk e ka pëlqyer insistimin e tij për reciprocitet me Serbinë apo skepticizmin e tij ndaj zgjidhjes bizare të Trump-it për emisar amerikan. Washington e shfrytëzoi një çarje në koalicionin e tij qeverisës për ta rrëzuar atë nga pushteti. Kjo nuk duket se do të ndodh këtë herë, jo vetëm për shkak se VV ka kaluar edhe më mirë në zgjedhje por edhe për shkak se Trump më nuk është president. Administrata e Biden – së paku – do të tregojë më shumë respekt për demokracinë kosovare.
Megjithatë, kjo nuk do ta shpëtojë Albinin nga një sfidë edhe më e madhe: ndërtimi i një shumice të tillë në Kuvend që do t’ia mundësojë zgjedhjen e Presidentit të ri si dhe t’i sigurojë një pozitë më të fuqishme në negociatat me Serbinë. Të dyja këto kërkojnë dy të tretat e votave në Kuvend. Dallime në qëndrime mund të ketë me partitë e komuniteteve jo-shumicë; por do të nevojiten votat edhe të së paku njërës parti që përfaqëson komunitetin shumicë, shqiptarët. Dy kandidatët më të mundshëm kanë histori të raporteve jo të mira me VV-në: LDK, që doli e treta dhe me rezultat të dobët në zgjedhje, është partia që e rrëzoi koalicionin jetëshkurtër të Albinit vitin e kaluar; ndërsa VV ka qenë kritikuesja më e ashpër e PDK-së që doli e dyta në zgjedhje, veçanërisht e ish liderit të saj, Hashim Thaçi, që tani është edhe i akuzuar. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt nuk do të ketë mjaftë ulëse që t’i sigurojë VV-së dy-të-tretat, por do të ishte hap në atë drejtim.