Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka kritikuar programin qeverisës të cilin e ka cilësuar më shumë listë dëshirash.
“Programi qeverisës që na e ka sjellë Qeveria e Kosovës me 55 ditë vonesë pikë së pari nuk i përngjan aspak një programi qeverisës implementues, s’ka as afate kohore e as kosto buxhetore. Është program synimesh e dëshirash të kalkuluara në votë elektorale që nuk është fare e pasqyruar në kornizën afatmesme të shpenzimeve të cilën ju si qeveri e Vetëvendosjes e keni votuar”.
Ajo, në vazhdimin e seancës, tha se Vetëvendosja e ka nisur mbrapsht qeverisjen duke thënë se në programin e Qeverisë Kurti 2 që u prezantua ditë më parë nuk figuron Reforma Zgjedhore.
“E keni filluar mbrapsht qeverisjen. E filluat duke e shantazhuar opozitën në orët e vona të natës sepse në ditën e parë të qeverisjes filluat të mendoni si ta zgjeroni më tej pushtetin duke propozuar Ligjin për Zgjedhje me shkelje të të gjitha procedurave. Çuditërisht duke e parë programin qeverisës e pashë që askund nuk figuron Reforma Zgjedhore për të cilën ju ditën e parë kishit aq shumë nguti dhe emergjencë. Figuron votimi i mërgatës, që e keni paraparë që do të rregulloni, por ndonëse e keni pasë në agjendë Reformën Zgjedhore dhe që në ditën e parë tentuat të bëni ndryshime në planin legjislativ qeveria nuk e ka sjellë fare në Kuvend”.