Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se s’ka asnjë arsye për greva në Kosovë. Sipas tij, kërkesat e SBAShK-ut janë të artikuluara pa përmbajtje dhe se ata në elemente të caktuara po përdoren për politika ditore.
Rrustemi flet për përplasjen e ekzekutivit me krerët e sistemit të drejtësisë, nevojën për konsensus në Kuvend sa i përket vettingut dhe dialogun Kosovë-Serbi.
“S’ka arsye për greva. Unë e kuptoj që secila kategori shoqërore kërkon përmirësim të kushteve të përgjithshme, por në rastin konkret nuk ka çështje ose arsye që mund të justifikojë sakrifikimin e fëmijëve duke privuar nga mësim-nxënja… Kërkesat janë të artikuluar pa përmbajtje, jashtëzakonisht shabllon dhe unë s’kam asnjë dyshim, kjo natyrisht që nuk i përfshinë si kategori të gjithë mësimdhënësit, pasi jam i bindur se Kosova ka mësimdhënës të përkushtuar, por s’ka asnjë dilemë që në prapavijë edhe si veprim dhe si struktura në këtë rast SBAShK-u, në elemente të caktuara po përdoren për politika ditore që nuk do të duhej të lejonin si kontingjent për mësimdhënie”, thotë ai.
Rrustemi, i cili është edhe kryetar i komisionit për legjislacion në Kuvend, thotë se reforma në drejtësi nuk duhet t’i pengojë askujt, e aq më pak Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor. Ai shton se nuk duhet të ketë përballje dhe përplasje në raport me një synim të tillë./B.S