Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e ka kritikuar presidenten Osmani se nuk po deklarohet lidhur me krizën energjetike në Kosovë, përcjell KosovaPost.
Deliu-Kodra tha se situata është alarmante përballë përpjekjeve të Qeverisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike deri në përmasa të papërballueshme për qytetarët.
“Për më shumë se dy muaj më radhë, vendi po ballafaqohet me krizë energjetike, ndërsa vetëm muajin e fundit, situata është alarmante përballë përpjekjeve të Qeverisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike deri në përmasa të papërballueshme për qytetarët. Na ndajnë edhe pak ditë nga vendimi i ZRRE-së, për t’a përligjur kërkesën e Qeverisë Kurti që çmimi të rritet, e bashkë më të, edhe reduktimet të vazhdojnë. Por, për një çështje kaq të rëndësishme që e rëndon jetën e të gjithë qytetarëve tanë, hesht znj. Osmani, e cila ushtron funksionin e Presidentes, pozitën me të lartë shtetërore në Kosovë”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.
Më tutje ajo tha se Osmani është duke iu nënshtruar Qeverisë në vazhdimësi.
“Konsideroj se znj. Osmani, duke i’u nënshtruar Qeverisë në vazhdimësi, po e dëshmon se nuk mund të dal përtej pikëpamjeve subjektive e të anëshme politike, të cilat edhe mund ti arsytoheshin derisa ka kandiduar në listën zgjedhore të Lëvizjës Vetëvendosje, por, jo pasi është zgjedhur në funksionin aktual”, ka shkruar ajo.
Postimi i Blerta Deliut: