Ligji që do të krijonte barazi ndërmjet njerëzve në pushtet dhe popullit ka qenë njëra ndër premtimet në fushatë nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan KosovaPost.
E, sot atë po e jetëson Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar në rrjetin social, Facebook se kanë dërguar për në Qeveri projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Sot kemi proceduar për në Qeveri njërin nga projektligjet më të rëndësishme, atë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ky Projektligj i cili është punuar nga ekspertët më të mirë të fushës (vendor dhe ndërkombëtar), përmban dispozita materiale dhe procedurale të cilat synojnë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht. Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.”, ka shkruar Haxhiu