Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, është zotuar për më shumë punë, në realizim të të drejtave të fëmijëve, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, transmeton Kosova Post.
“Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, ditë më parë e prita në zyrën time një mysafir të veçantë. Rijadi, shok imi prej më shumë se një viti, zemërëmbël, na e rikujtoi se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në jetë.
Sot, kur po e shënojmë këtë ditë të veçantë për ta, uroj që zemra e çdo fëmije të gëzohet përgjithnjë, që mendjet e tyre të mbesin përherë kurreshtare e që në rrugëtimin e tyre jetësor të mirat t’i përcjellin hap pas hapi. Por, këtë vit uroj mbi të gjitha më shumë barazi, qasje e gjithpërfshirje.
Ne në Presidencë, së bashku me Rijadin dhe gjithë ekipin, do të punojmë me ngulm që ta jetësojmë këtë qëllim.
Urime Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve!”, shkruan Presidentja Osmani në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.