Anëtari i Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës nga radhët e popullit serb, Milorad Dodik, tha se me rastin e kërcënimeve nga ana e BE- së me sanksione dhe heqjen e investimeve, ne do të hakmerremi, transmeton KosovaPost.
“Ndoshta disa do të përpiqen të tallen me atë që do të them, por edhe Srpska nuk është pa kundërmasa. Nëse Gjermania vendos sanksione, ne do të hakmerremi. Nuk jam i verbër të mos e di se çfarë është Amerika dhe Gjermania. Por mesazhi im është qartë”, tha Dodik, transmeton KosovaPost.
Ai hodhi poshtë akuzat se qytetarët ose e gjithë Republika Srpska mund të jenë në telashe, duke shtuar se nuk shqetësohet, sikur edhe bëri thirrje që njerëzit në RS të mos shqetësohen.
“Jo absolutisht ne nuk shqetësohemi, dhe e kujtoj shumë mirë kohën e sanksioneve, në të cilat ne ishim të mbyllur hermetikisht, dhe ajo kohë mbeti në ndërgjegjen tonë. Ajo kohë nuk është më tani. Ne nuk jemi shumë të shqetësuar nëse dikush do të na kërcënoj me sanksione”, tha Dodik.
Ai theksoi se gjatë gjithë këtyre viteve, investitorët perëndimorë kanë qëndruar në linjë dhe se RS ka miqtë e saj që kanë investuar deri më tani dhe se Republika Srpska nuk do të humbasë investitorë.
Sa i përket ekonomisë, Dodik tha se problemi dhe rreziku i RS është nga pandemia e virusit, e jo nga një kërcënim sanksionesh.