I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, pritet që më 20 janar të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se i dërguari i Bashkimit Evropian do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Dy të dërguarit kohëve të fundit kanë vepruar bashkërisht me qëllim që të rrisin gjasat për sukses në dialog. Në Bruksel, disa herë kanë thënë se angazhimi i përbashkët BE-SHBA është treguar i dobishëm për të bindur palët që të ulin tensionet.
Escobar dhe Lajçak më 9 janar janë takuar me ambasadorët e shteteve të NATO-s me të cilët kanë biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon dhe kanë paraqitur para tyre edhe planet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se Kosovën dhe Serbinë së shpejti do ta vizitojë edhe i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner, por aktualisht nuk është saktësuar nëse këta dy diplomatë do të shoqërojnë Escobarin dhe Lajçakun.
Megjithatë, sipas burimeve, tashmë është arritur një pajtim i gjerë për të mbështetur propozimin franko- gjerman për një marrëveshje bazë mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ky propozim është “propozim evropian” dhe ka mbështetjen e të gjitha shteteve të BE-së. Këtë plan e përkrah edhe SHBA-ja.
Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që Escobar dhe Lajçak do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.


























