Në vitin 2022 Kosova ka regjistruar 18 raste të infektimit nga gjithsej 54 raste me HIV/AIDS, derisa nuk ka pasur viktima nga kjo sëmundje dhe as shtrime në spital.
Prishtinë
Me aktivitete të ndryshme është shënuar në Prishtinë Dita Botërore e luftës kundër sëmundjes HIV/AIDS, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën organizimin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin kosovar u hap Qendra Mobile për testim për këtë sëmundje.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku tha se qendra e hapur sot në Prishtinë ka qëllim të promovimit si aktivitet, megjithëse ai beson se nuk do të ketë shumë të interesuar.
Sipas Sadikut, gjatë vitit 2021 ka pasur 1.5 milionë të rinj të infektuar me HIV/AIDS, ndërsa projeksioni ka qenë 1 milionë më pak.
“Qëllimi ynë ka qenë sot që të promovojmë te qytetarët, që njerëzit që dalin në shesh edhe nëse nuk e bëjnë testin, ta krijojnë një informacion se në Kosovë mund të bëhet testi vullnetarisht. Dhe gjithë ata që dëshirojnë ta bëjnë testin do t’i kenë informacionet se ku mund të bëhet ai dhe testi do të bëhet komplet në kushte të konfidencialitetit”, theksoi Sadiku.
Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv në organizatën Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, tha se përpos testit të HIV/AIDS janë edhe sëmundje tjera të transmetueshme seksuale, përfshirë Hepatitin B dhe Hepatitin C, për të cilat do të mund të testohen qytetarët.
“Klinika do të jetë këtu e hapur për 7 ditë, deri më 7 dhjetor dhe pastaj shohim si do ta vazhdojmë tutje”, theksoi Nuhiu.
Gjithashtu, në kuadër të shënimit të ditës botërore të luftës kundër HIV/AIDS, në sallën e amfiteatrit në objektin e Qendrës së Studenteve në Prishtinë sot mbahet edhe një panel diskutimi me temë “Barazia – Dita Botërore e HIV/AIDS” me aktorët relevantë të kësaj teme.
Në vitin 2022 Kosova ka regjistruar 18 raste të infektimit nga gjithsej 54 raste me HIV/AIDS, derisa nuk ka pasur viktima nga kjo sëmundje dhe as shtrime në spital.
Kosova nga viti 2002 ka qendra të përhershme për testim vullnetar për sëmundjen e HIV/AIDS.