Deputeti slloven i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj, i ka kërkuar Këshillit Evropian t’ia paraqes dokumentin jo zyrtar, “non paper”, të kryeministrit slloven Janez Jansha, përmes të cilit pretendohet ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Letra e Groshelj, drejtuar Këshillit Evropian, organit suprem të Bashkimit Evropian, u provokua pasi ai institucion pranoi se kishin marrë dokumentin, por që është nën mbrojtje të detyrueshme dhe ka shenjën e dokumentit sekret.
Në kërkesën e tij drejtuar Këshillit Evropian, Groshelj deklaroi se ky “non paper” provokoi reagime të shumta jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë dhe botë, transmeton Telegrafi.
Siç shkruan portal “Slobodna Bosna”, ai dokument favorizon ndryshimin e kufijve në rajonin tonë dhe krijimin e tri shteteve nacionale – Serbia e Madhe, Shqipëria e Madhe dhe Kroacia e Madhe.
Portali Politički.ba ishte i pari që publikoi informacionin mbi ekzistimin e ‘non paper’, më 12 prill të këtij viti.
Atëherë, ky portal shkruante se Jansha po propozonte copëtimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore.
Gjithçka do të bëhej me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe ndihmën e NATO-s.
Siç shkruan portal boshnjak, “non paper” u zbulua pas fjalimit të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë drekës në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës, kur ai pyeti tri anëtarë të kreut kolektiv të shtetit nëse ishte e mundur një “ndarje paqësore”.