Krye-eksperti i sëmundjeve infektive i SHBA-ve, Dr. Anthony Fauci, ka deklaruar se përpjekja e SHBA-ve për të shpërndarë vaksinën e koronavirusit të ri (COVID-19) tek amerikanët deri më tani ka qenë “mjaft e dobët”, transmeton Kosova Post.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 12,4 milionë doza të vaksinës janë shpërndarë në shtetet amerikane, ndërsa vetëm 2,8 milionë persona kanë marrë dy dozat e para të vaksinës.
Kjo shifër është shumë më e vogël se shpresat e ekipit të presidentit Donald Trump, i cili më herët njoftoi se deri në fund të vitit do të administrojë rreth 20 milionë doza.
“Padyshim se nuk ndodhi dhe kjo është zhgënjyese”, tha Fauci gjatë një interviste në programin televiziv Today, i cili është anëtar i task-forcës së posaçme të koronavirusit nën administratën e presidentit Trump.
“Shpresojmë se përderisa hymë në dy javët e para në janar, do të arrijmë në pikën ku duam të jemi. Por me të vërtetë duhet të ketë shumë më tepër përpjekje në kuptimin e burimeve për vendasit, domethënë shtetet, qytetet, qarqet, pra në vendet ku vaksina faktikisht po shkon në krahët e individëve”, tha Fauci.
SHBA aktualisht është në mes të shpërndarjes së dy vaksinave, një nga Pfizer/BioNTech dhe një tjetër nga Moderna, ndërsa nga ana tjetër po përballet me numra rekord të viktimave dhe rasteve me COVID-19.
Së fundmi, sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, 3.744 persona të tjerë humbën jetën dhe afër 229 mijë raste të reja u konfirmuan me koronavirus.AA