Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se në dialogun Kosovë Serbi, nuk do të ketë kompromis në dëm të shtetësisë dhe pavarësisë së vendit.
“Pozicioni amerikan lidhur me dialogun Kosovë Serbi është shumë i qartë, zoti Escobar sot ka thënë se palët janë të barabarta në bisedime dhe finalja duhet të jetë e qartë, marrëveshja duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellta në mes Kosovës e Serbisë”, tha ajo.
Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz tha se, në negociata gjithmonë hyhet par të bërë kompromise, por Kosova tashmë ka bërë kompromise edhe atë kompromise të dhimbshme, kur ka pranuar pakon e Ahtisaarit. “Pako e Ahtisarit ka qenë kompromis për marrjen e pavarësisë, mendoj që kjo pako pakicave u ka dhënë barazi të jashtëzakonshme”, tha ajo.
“Ne nuk kemi në tavolinë një kompromis që duhet ta pranojmë apo ta hedhim poshtë, ne nuk shkojmë në Bruksel par të bërë negociata koti. Kryeministri Kurti ka paraqitur katër kërkesa, presim që bisedimet të nisin. Kemi kërkuar që në bisedime të shtrohet çështja e të pagjeturve, sepse kjo është një çështje që ka të bëjë me vlerat njerëzore”, tha ajo.
Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz tha se mund të sigurojë, se kompromise në dëm të këtij vendi nuk mund të ketë. “Një kompromis në kurriz të këtij vendi nuk jam në gjendje ta pranoj dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e thotë edhe Presidentja edhe Kryeministri”, tha ajo në RTK.
Sipas ministres, vendet e BE-së, Britania e Madhe edhe SHBA-ja kanë thënë vazhdimisht, me forcë, se dy palët në dialog janë të barabarta dhe Marrëveshja duhet të përfundojë me njohje të ndërsjelltë dhe pala e Kosovës duhet ta përshëndesë këtë qëndrim të tyre.