Kandidati gjerman për kancelar, Armin Laschet, kërkoi falje për shkak të të qeshurave gjatë vizitës në rajonet e goditura nga përmbytja pas kritikave në rritje në mediat sociale, transmeton KosovaPost.
Një video e shpërndarë gjerësisht tregon Laschet-in duke bërë shaka me kolegët dhe duke qeshur ndërsa presidenti Frank-Walter Steinmeier po mbante një konferencë për shtyp, duke shprehur solidaritet dhe simpati për viktimat.
Laschet kërkoi falje në një postim në Twitter dhe falënderoi Steinmeier-in për vizitën e tij dhe mbështetjen për banorët.
“Më vjen keq për përshtypjen që u krijua gjatë një bisede. Kjo ishte e papërshtatshme dhe më vjen keq”, tha ai.
Përmbytjet më të rënda në Gjermani në më shumë se 200 vjet kanë marrë më shumë se 150 jetë njerëzish dhe kanë shkaktuar shkatërrime të shumta në shtetin perëndimor Nordrhein-Westfalen.
Laschet, i cili ka qenë kryeministri i kësaj province që nga viti 2017, është gjithashtu kandidati kryesor në garën për të pasuar Angela Merkelin si kancelar në zgjedhjet kombëtare në shtator.
Fatkeqësia më e madhe natyrore e vendit në historinë e fundit shihet si një provë e vështirë për politikanin konservator përpara zgjedhjeve./AA