Gjuha që ka zgjedhë Kosova për normalizim marrëdhëniesh-Nuk e kupton Serbia

Gjuha që ka zgjedhë Kosova për normalizim marrëdhëniesh-Nuk e kupton Serbia

Shkruan: Jakup Krasniqi

Romakët e vjetër e kanë një shprehje: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Romë’.

Ndoshta kjo shprehje na ndihmon për të parë, se ku po na çojnë të gjitha raportet (rrugët) e bisedimeve politike të gjashtë-shtatë viteve të fundit në mes Kosovës e Serbisë të zhvilluara me ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar ?

Të gjitha bisedimet politike të udhëhequra nga Brukseli, të gjitha të ashtuquajturat marrëveshje politike, nga ajo e 19 prillit 2013 e në vazhdim, shumë zhvillime ekcesive që nga treni nacionalist serb, ndërtimi i murit të ura mbi lumin Iber, loja më rastin Gjuriqi, reklamat e Presidentëve në Liqenin e Ujmanit, 10% për mallrat serbe, “bisedimet” e djeshme në Bruksel, deklarimet e këtij viti të zyrtarëve të lartë të Beogradit, janë rrugë që asnjëra nga ato nuk çojnë në marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, janë rrugë të konfliktit të ngrirë, nëse jo të hapur.

Pse është kështu? Është kështu se nuk është zgjedhur gjuha që e kupton Beogradi zyrtar. Gjuha që është komunikuar që gjashtë vite e sidomos kjo e këtij viti, është gjuhë që nuk e kupton e as që donë ta kuptoj Beogradi. I gjithë rrugëtimi ynë, më shumë se 100 vjeçar, katërçipërisht e konfirmon ketë. Nuk është e rastësishme rruga e luftës çlirimtare që zgjodhëm në fund të shekullit XX. Ajo erdhi pas shumë përpjekjeve paqësore aktive e pasive dhe pas më shumë se 600 shekuj burgosjesh politike për shqiptarët.

Cila është gjuha që e kupton Beogradi?

Beogradi sot e kupton gjuhën e mos dialogut, gjuhën e mbylljes se kufirit Kosovë – Serbi për mallrat serbe, pasi kufiri nuk mund të jetë i hapur me vendin që ka qëndrim armiqësor të nivelit të lartë, që ka pretendime territoriale, që të pengon me të gjitha mjetet kudo ku arrin, që nuk e ka gatishmërinë që të të njoh dhe që nuk është as i gatshëm të distancohet nga politikat e gjenocidit të përsëritura disa herë në shekullin XX, e sidomos nga politika e regjimit të Millosheviqit. Fjalimi i fundit i Vuçiqit në Mitrovicë e konfirmon ketë. Ne, nuk duhet që t’i japim zjarr kësaj çështjes se dialogut, kur në Beogradin politik nuk ka as shenja minimale për njohje e normalizim.

Ky agresivitet që vije nga Serbia e shtron si domosdoshmëri bashkimin e gjithë shqiptarëve rreth një Platforme të qartë politike në të gjitha raportet me Serbinë. Mënyra se si po sillet Serbia, nuk e lënë asnjë hapësirë për vazhdimin e dialogut. As politika e Brukselit nuk është duke dhënë shenja që ne duhet t’ju besojmë. Mos liberalizimi i vizave është shenjë e keqe! A nuk nxituam kot me demarkacionin e kufirit më Malin e Zi me premtimin për liberalizimin e vizave? Kjo gjendje e ky realitet i krijuar, dy shtetet shqiptare i obligon që të nisin një fillim të ri për zhvillim e siguri në nivel kombëtar!

Madje, mënyra se si është biseduar jangra-jungra që sa muaj në Kosovë (sidomos nga i pari i vendit), pa asnjë kujdes, siç ishin deklarimet e tija, për korrigjimin e kufirit, për demarkacionin, për shkëmbim territoresh etj. etj., ishte gjuhë jo vetëm inferiore, por ishte nënshtruese dhe e qulltë e në ndonjë rast e mbështjell me patriotizëm. Kjo gjuhë e komunikimit urgjentisht duhet të ndërpritet dhe kjo duhet bërë shpejtë e pa ekuivokë.

Të gjithë duhet ta kuptojmë se si loja me kufirin dhe kjo për normalizimit e marrëdhënieve më shtetin që ka qëndrim armiqësor të nivelit të lartë, nuk është pronë e asnjë individi, cilido qoftë ai! Përgjegjësit kryesor që na ka sjellë në ketë gjendje nuk duhet besuar më! Një fillim i ri është i domosdoshëm!

Duhet ta dimë se jo vetëm luftërat e fundit në hapësirën e ish Jugosllavisë kanë treguar se, politika serbe nuk njeh gjuhë tjetër veç gjuhës së forcës! Kush nuk e ka kuptuar ketë, kudo që të jetë, në Kosovë apo në BE, do të thotë se ai apo ata nuk kanë kuptuar asgjë! Ata nuk kuptojnë as tani!