Në një intervistë për agjencinë Anadollu Agency, Gjukanoviq tha se ky është qëndrim i tij personal, por edhe i Malit të Zi, se Rusia kishte ndërmarrë agresion brutal ndaj fqinjit të saj dhe ndaj një shteti të pavarur dhe sovran evropian.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor është një zonë frymëzuese për Rusinë për realizimin e mëtejshëm të doktrinës së saj shkatërruese ndaj Evropës.
“Para së gjithash, sepse ne ende nuk kemi një shtet mjaft të fortë në Ballkanin Perëndimor dhe popullsia në atë rajon ka ndjenja të bazuara historikisht pro-ruse. Rusia tani po luan me atë ndjenjë me shumë mjeshtëri dhe në mënyrë shumë të papërgjegjshme”, tha Gjukanoviq.
Ai tha se e gjithë kjo mund të zgjasë derisa të vendoset një marrëdhënie më e arsyeshme lindje-perëndim dhe derisa të ripërtërihet dialogu mes Evropës dhe Rusisë.
“Natyrisht, për këtë nevojiten disa parakushte, të cilat Rusia, mbi të gjitha, duhet t’i përmbushë në Ukrainë. Agresioni dhe vdekjet e njerëzve në Ukrainë duhet të ndalen dhe marrëdhëniet normale fqinjësore midis dy vendeve duhet të rivendosen,” tha Gjukanoviq, shkruan Kosovonline.