Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka ftuar serbët e Kosovës që të mos bien pre e kalkulimeve politike të presidentit serb Aleksandër Vuçiqit e të askujt tjetër, duke thënë se e ardhmja e tyre është në Kosovë për të jetuar në paqe e harmoni me gjithë të tjerët bashkë.
Përmes një konference për shtyp, Haradinaj ka thënë së platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe.
“Situata në veri të Kosovë po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar. Platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t’i tërheqë njerëzit e tij nga veriu dhe urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e cila është përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë në raport me Kosovën, është kapitull që është mbyllur në vitin 1999”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se deklarimet dhe veprimet e pamatura të kryeministrit Kurti dhe të njerëzve të tij, veç sa e kanë komplikuar situatën.