Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes në Prizren është historike, shkruan Kosova Post.
Ai tha se Prizreni është një ndër komunat ku kemi më së shumti komunitete që nëse kalkulohen votat vetëm për partitë shqiptare, del që Lëvizja VETËVENDOSJE ka fituar 58.5% të votave.
Postimi i plotë:
Për disa analistë, pak mësim nga lënda e statistikës. Sipas KQZ-së, VETËVENDOSJA në Prizren ka fituar rreth 28,000 vota nga 61 mijë vota të vlefshme, apo rreth 46% të votave.
Prizreni është një ndër komunat ku kemi më së shumti komunitete, ku sipas rezultateve 13,000 votues kanë votuar për partitë e komuniteteve jo-shumicë, që përbën 21.5% të votuesve.
Nëse kalkulohen votat vetëm për partitë shqiptare, del që Lëvizja VETËVENDOSJE ka fituar 58.5% të votave. Pra kjo është një fitore historike në Prizren.
Fitorja është edhe më e madhe nëse marrim parasysh që në listën e kandidatëve të LVV-së dhe Vjosës në Prizren, kemi pasur 6 kandidatë, gjersa PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë pasur më shumë se 35 kandidatë.
Së fundi këto analiza janë bërë sipas rezultateve të KQZ-së, e cila ka publikuar rezultatet nga 92% e vendvotimeve, ndërkaq nga vendvotimet që ende nuk janë numëruar, numri i votave për LVV në Prizren do të rritet në më shumë se 29,000 vota, me diasporë mbi 30,000.
Urime deputetëve të ardhshëm dhe qeverisë Kurti ! Ju priftë e mbara!