Bëhet të jetë një luftë e sofistikuar, një armë biologjike. Është planifikuar shumë më herët, ndonëse njerëzit kanë pasur frikë të flasin. Teoritë konspirative të të gjitha llojeve, kontaminojnë opinionin publik, ku shpesh realiteti manifestohet në formën e një trilli.
Shkruan: Imer Topanica
Një mik ma kujtoi filmin e vitit 2011 «Contagion», me Matt Damon, Kate Winslet, Gwyneth Paltrow, Jude Law dhe një kastë aktorësh shumë të njohur, skenarin e të cilit jemi duke e përjetuar sot në lëkurën tonë. Një tjetër, më tha si në mirëbesim se, Gjermania, e paska pas miratuar Ligjin Anti-COVID në vitin 2013, duke e theksuar këtë fakt me një ton dyshues. Rebelimi kundër regjimit të maskave*, forcohet pikërisht mbi këtë bazë teorish. Por këto nuk e përjashtojnë faktin se: virusi është i pranishëm.
Sipas Ourworldindata, 42.6% e popullsisë botërore ka marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19. 5.82 miliardë doza janë administruar globalisht, dhe 29.6 milionë tani administrohen çdo ditë. Edhe në vendet ku raportohet për grupe që e kundërshtojnë fuqishëm marrjen e vaksinës, përqindja e të vaksinuarve, është e lartë. Kosova, në këtë hierarki, nuk qëndron keq, ndonëse procesin e vaksinimit e ka filluar vonë.
Në Kosovë deri më tani janë organizuar disa protesta, por njëra që do të organizohet këtë të shtunë, do të jetë e sinkronizuar me plot të tjera që do të organizohen në shumë vende të botës. Me «World Wide Demonstration» premtojnë se «të bashkuar, do të jemi të lirë». Apolegjetët e protestës ushqehen me argumente që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut. #JoVaksinëMeDetyrim, #JoMaskëMeDetyrim, #JoLockdown, #ProNenit26TëKushtetutës, #PërRezulutën(e)KëshillitTëEvropësNr.2631, #ProKoditTëNurembergut – janë disa nga parullat e tyre. Diskursi që e karakterizon debatin, mbi këtë temë, është mjaft i koklavitur dhe shkon përtej “dogmave” të shëndetësisë, drejtësisë dhe etikës. Imponimi i vaksinave – për këtë palë, andaj, është i papranueshëm. Ndonëse pala tjetër, ajo zyrtare, argumenton se: shkelja e të drejtave të individit, është duke ndodhur, por në dobi të ruajtjes së shëndetit kolektiv, kjo nuk pinë ujë te kampi i “rebelëve”. Përgjithësisht të dhënat që vijnë nga burimet zyrtare, sipas atyre që duan ta luftojnë këtë hegjemoni, janë thellësisht të komprometuara. Këta të fundit hetojnë shkarje jo të vogla në narracionin zyrtar, duke i theksuar ato. Por këto nuk e përjashtojnë faktin se: virusi, megjithatë, është i pranishëm!
Vaksina nuk është 100% efikase, dhe ndoshta kurrë nuk do të prodhohen të tilla, megjithatë, rezultatet janë shpresëdhënëse – sipas narracionit zyrtar. Raportet, ndërkaq, rreth qytetarëve që deklarohen se kanë pasur probleme pas marrjes së vaksinës, e deri edhe për vdekjet, marrin vëmendje të madhe tek skeptikët. Për autoritetet zyrtare, këta janë shembuj përjashtues. Në këtë simulakrum argumentesh, nuk është çudi që dyshimi të rritet kaq shumë.
Për ironi, pala zyrtare thotë që virusi është vdekjeprurës, andaj na duhet vaksina për të na mbrojtur, ndërsa aversioni i zyrtares thotë që vetë vaksina është vdekjeprurëse. Meqë virusi është vdekjeprurës, pse “rendit botëror” iu paska dashur kaq shumë një vaksinë vdekjeprurëse?
Teoritë konspirative, me të cilat shërbehet pala jozyrtare thotë se efektet e vaksinës janë kryekëput negative, pavarësisht që pasojat nuk mund të hetohen tani për tani. Për më shumë, akuzon autoritetet shëndetësore, këtu e në botë, se nuk kanë bërë testime të mjaftueshme, për ta dëshmuar efikasitetin e vaksinës. Por në anën tjetër, provat për efektet afatgjata negative shëndetësore, u mungojnë edhe këtyre.
Prandaj do imponimi i vaksinës, do ishte një strategji shumë e gabuar. Vetëm sa t’ua forconte dyshimet…
Po, në titull i përmenda edhe muslimanët. E vërteta është që këta janë vetëm spektatorë në këtë mesele globale. Vendet e ashtuquajtura Islame, kanë mbetur shumë prapa në fushën e arsimit, e për rrjedhojë edhe në shkencë. Ato janë larg së qeni faktor kyç në zhvillimet politike, ekonomike e sociale. Më së shumti, mund të jenë viktima të lojërave të mëdha.
P.s
#Provaksinëspadetyrim, #Kundërimponimittëdhunshëmtëmasave
_____________________
*një term që e shpika vet, nëse e ka përdorur edhe dikush tjetër para meje, ka të bëjë me rastësinë.