Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës i Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ia ka shtruar një pyetje kryeministrit aktual Albin Kurtit, shkruan Kosova Post.
“Makro-Shengen shqiptar, që do të bënte të mundur bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë me shpejtësi të re – premtonte Albin Kurti në fushatë. Sot, si kryeministër, Shqipëria është më larg se kurrë, raportet më të ftohura se asnjëherë më parë, ndërsa energjitë, vizionin dhe Qeverinë e ka vënë në funksion të krijimit të Jugosllavisë së Re duke e bërë Kosovën pjesë të Minishengenit” – ka konstatuar Hoxhaj.
Më tej ai e ka vënë theksin, siç e ka cilësuar, te “lëshimi i parë” i Kryeministrit Kurti.
“Gjashtë shtete – një vizë, apo Jugosllavia e Re, është dhurata dhe lëshimi i parë që Albin Kurti ia bëri Serbisë. E kam pritur dezertimin e Kurtit, por jo kaq shpejtë dhe jo kaq paturpësisht. Cila do të jetë dhurata e radhës për Serbinë, Albin?”
Hoxhaj, i cili është ftuar nga Kurti për t’u takuar rreth çështjes së bisedimeve, nuk e ka pranuar ftesën, ndërkaq i pari i LDK-së dhe ai i AAK-së, do të takohen me kryeministrin./KosovaPost/