Largimi i qytetarëve nga Kosova, reflekton edhe në rënien e numrit të nxënësve nëpër shkolla.
Sipas Agjencisë së Statistikave, në shkollimin fillorë të mesëm të ulët në Kosovë në viti shkollor 2008-2009 ishin 319.154 nxënës, kurse në vitin shkollor 2020-2021, numri i nxënësve është 229.664, që i bie 28% më pak nxënës se para 12 vjetëve.
Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, përmes një reagimi publik thotë së këto statistika janë alarmante.
Ndër të tjera, në reagim thuhet se ikja nga Kosova vazhdon me ritëm të frikshëm, duke bërë që vetëm në vitin e fundit të jenë mbi 8 mijë nxënës më pak në shkolla.
Reagimi i plotë:
“Sipas Agjencisë së Statistikave në shkollimin fillor dhe mesëm të ulët në Kosovë në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319,154 nxënës. Ndërsa 12 vjet më vonë, në vitin shkollor 2020-2021, ky numër ka rënë në 229,664 nxënës. Kështu del se sivjet i kishim 89,490 nxënës (ose 28%) më pak se 12 vjet më parë. Gjithsej 80 shkolla të këtij niveli janë mbyllur për të njëjtën periudhë (2008-2009: 972 shkolla kundrejt 2020-2021: 892 shkolla).
Këto statistika do të duhej të ishin alarmante për çdo vend e qeverisje. Ikja nga Kosova vazhdon me ritëm të frikshëm edhe pa liberalizimin e vizave. Vetëm vitin e fundit ishin 8,295 më pak nxënës në bankat shkollore të këtij niveli”.