Imami i Qabesë, Abdullah Avad el-Xhuheni, sonte ka prirë në namazin e akshamit në xhaminë “Hasan Beg – 4 Llullat” në Prishtinë, pas të cilit mbajti edhe një ligjëratë të shkurtër me këshilla nga Kurani fisnik dhe nga hadithet e Pejgamberit a.s, njofton KosovaPost.
Më pas, imami El-Xhuheni, i shoqëruar nga Myftiu Tërnava, falën namazin e jacisë në xhaminë “Shuajb Arnauti” në lagjen Mati 1 në Prishtinë.
Pas namazit, imami para të pranishmëve mbajti një ligjeratë, në të cilën shprehu kënaqësinë dhe gëzimin që gjendet sot në Kosovë pranë vëllezërve të tij besimtarë.
Kurse nesër, të enjten, më 29 shtator 2022, do t’i prijë namazit të akshamit në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren. Ndërsa të premten, do ta mbajë hytben e xhumasë në xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e BIK.