Qeveria Irlandeze ka mbështetur një lëvizje parlamentare që e dënon “aneksimin de facto” të tokës Palestineze nga autoritetet izraelite, duke u renditur kështu si vendi i parë nga një vend i Bashkimit Evropian, i cili ndërmerr një hap serioz, pas zhvillimeve të fundit në Palestinë, shkruan Kosova Post.
Ministri i Jashtëm Irlandez Simon Coveney tha të martën se mocioni, i paraqitur nga partia e opozitës Sinn Fein, “është një sinjal i qartë i thellësisë së ndjenjës në të gjithë Irlandën”, shkruan sot Al Jazeera.
“Shkalla, ritmi dhe natyra strategjike e veprimeve të Izraelit në kuadër të planit për zgjerimin e vendbanimeve si dhe qëllimi i cili fshihet pas këtij plani, na kanë sjellë në një pikë ku duhet të jemi të sinqertë për atë që po ndodh në të vërtetë në terren” – u shpreh ai në parlament.
“Kjo nuk është diçka që unë, ose dhe kjo shtëpi, e themi lehtë. Ne jemi shteti i parë i BE-së që e bëjmë këtë. Por kjo pasqyron shqetësimin e madh që e kemi në lidhje me qëllimin e veprimeve dhe natyrisht, ndikimin e tyre, ” – vijoi ai, duke aluduar në qëllimet pushtuese të Izraelit.
Nëse miratohet ndryshimi, do të kërkohet nga qeveria ta dëbojë ambasadorin izraelit nga Irlanda, dhe të vendos sanksione ekonomike, politike dhe kulturore kundër Izraelit.
Shumica e vendeve i shohin vendbanimet që Izraeli i ka ndërtuar në territorin e pushtuar pas luftës së 1967, si të paligjshme, dhe si një pengesë për paqen me palestinezët.
Coveney, i cili ka përfaqësuar Irlandën në debatin e organizuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kishte këmbëngulur që të dënoheshin aktet e dhunshme që çuan në vdekjen e një numri të madh të civilëve të pafajshëm, në luftimet ndërmjet militantëve të Hamasit dhe ushtrisë izraelite.
Disa nga parlamentarët irlandezë kishin maska fytyre në të cilat figuronte flamuri palestinez.
Ndërsa partia me prirje të majtë Sinn Fein, refuzoi të mbështesë ndryshimin e qeverisë që dënon sulmet e Hamasit.
Këto zhvillime ndodhën disa ditë pas një armëpushimi i cili është shpallur ndërmjet dy vendeve./KosovaPost/