Ish-diplomati serb Nebojša Vujoviç, ka komentuar ndërprerjen e vizitës së presidentit serb Aleksander Vucic, në SHBA dhe kthimin e parakohshëm të tij në Beograd, duke thënë se ka qenë shefja e presidentit amerikan Donal Trump, ajo që ‘‘ia ka ndaluar hyrjen në kompleksin në Florida’’.
“Është më e rëndësishme që Trump-i të luajë një lojë individuale shahu me Putinin (ai tashmë e ka varrosur Zelenskyn), ndërsa Vuçiq donte të amortizonte kërcënimin nga Evropa me një fotografi (pritje) në Florida, dhe pastaj të shkonte në Moskë. Ai e vendosi veten midis Trump-it dhe Putinit, duke i hequr Trump-it ekskluzivitetin dhe pozicionin ndaj klasës politike dhe Evropës”, tha Vujoviq.
Ish-diplomati serb, thekson se Vuçiq e ka gërryer pozicionin e tij, si në Uashington, ashtu edhe në Moskë, dhe se studentët e “kurorëzuan” atë në Evropë, raporton N1.
“Me këtë veprim, ai u kurorëzua në Evropë më shumë sesa nga studentët. Por studentët e joshën me sukses të sillej në mënyrë irracionale dhe të dëmtonte vetveten. E goditën në nerva dhe i dhanë një ‘udhëzues’ për të kaluar nga një gabim në tjetrin. Ai donte një përballje të shpejtë me komunitetin akademik dhe shtypjen e protestave, por po arrin të kundërtën. Edhe ata që e kanë mbrojtur për interesat e tyre – kryesisht Brukseli, Parisi dhe Berlini – tani duhet t’i lidhin duart”, shtoi Vujoviq.
Ai gjithashtu tha se Trump është më i zgjuar në mandatin e dytë sesa në të parin, megjithëse bën gabime.
“Ai nuk është naiv dhe i mërzitshëm siç mendojnë shumë në Amerikë dhe Evropë. Nuk erdhi në pushtet rastësisht – shumica e amerikanëve e mbështetën fuqishëm. Sigurisht, ai bën gabime, por përpiqet të përmbushë ato që premton në fushatë. Ai do të jetë më i rrezikshëm për Putinin sesa Macron-i dhe të tjerët si ai – nuk duhet nënvlerësuar. Vuçiq tregoi naivitet”, përfundoi Vujoviq.
Ju kujtojmë se të gjitha mediat pro-regjimit që ishin në Florida raportuan se presidenti i Serbisë u kthye papritur në Serbi, sepse, sipas kohës amerikane, pasdite u ndje i sëmurë. Zyra e presidentit ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Disa përfaqësues të partive opozitare në Serbi kanë vënë në pikëpyetje arsyet e deklaruara për kthimin e Vuçiqit.
Zëvendëspresidenti i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Borko Stefanoviq, e quajti “vizitën private të Vuçiqit në Miami një fiasko të plotë”, ndërsa kryetari i Partisë së Qendrës së Serbisë, Zdravko Ponosh, tha se presidenti Vuçiq “e puthi derën, edhe pse mezi priste të puthte dorën e Trump-it”.


























