“Saied shkeli kushtetutën në të cilën u betua dhe i dha vetes të gjitha kompetencat”, tha Marzouki në një video mesazh të publikuar në Facebook, transmeton Kosova Post.
Ish-presidenti i Tunizisë, Moncef Marzouki, denoncoi të hënën shkarkimin e qeverisë dhe pezullimin e parlamentit nga presidenti i vendit, duke e qujtur një “grusht shteti”, shkruan AA.
Të dielën, Presidenti tunizian, Kais Saied, shkarkoi qeverinë, pezulloi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri.
“Saied shkeli kushtetutën në të cilën u betua dhe i dha vetes të gjitha kompetencat”, tha Marzouki në një video mesazh të publikuar në Facebook. “Saied e konsideronte veten kreun e pushtetit ekzekutiv dhe gjykatësin e parë,” tha ai.
“Nëse grusht shteti ka sukses, situata ekonomike dhe shëndetësore e vendit do të përkeqësohet më shumë”, paralajmëroi Marzouki, duke përshkruar presidentin Saied si “problemin më të madh për Tunizinë”.
Në fjalimin e tij të së dielës, Saied tha se ai do të heqë imunitetin e të gjithë anëtarëve të parlamentit dhe do të marrë rolin e prokurorit publik. Ai tha se e ka marrë këtë vendim pasi është këshilluar me Kryeministrin Hichem Mechichi dhe Kryetarin e Parlamentit Rached Ghannouchi.
Tunizia ka parë protesta popullore kundër qeverisë dhe opozitës, me sulme të raportuara ndaj selive dhe ndërtesave të partisë së moderuar islame të Ghannouchi-t, Ennahda në disa provinca tuniziane.
Që nga janari, vendi ka qenë në një ngërç politik mes mosmarrëveshjes midis Saied dhe Mechichi rreth një riorganizimi qeveritar që u refuzua nga Saied.
Vendi gjithashtu përballet me një krizë ekonomike dhe një rritje të infeksioneve të koronavirusit të ri(COVID-19) mes paralajmërimeve për një kolaps të mundshëm të sistemit shëndetësor.