Nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Policisë, Atifete Jahjaga më 7 prill 2011 la uniformën e kaltër, për të marr pozitën e të parës së shtetit të Kosovës për pesë vite, përcjell KosovaPost.
Vetëm 13 ditë para se të festonte ditëlindjen e saj të 36, Jahjaga me prejardhje nga fshati Rashkoc i Gjakovës e cila nga viti 2000 i shërbeu vendit nën uniformën e policisë, u emërua Presidente e Republikës së Kosovës, për ta mbajtur këtë pozitë deri në vitin 2016.
Aktivitetin e saj sot, Jahjaga po e zhvillon duke kontribuar më së shumti në fuqizimin e grave, të rinjve, minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara në Kosovë.
Ish-presidentja Jahjaga në një intervistë për Telegrafin ka folur për sfidat e sukseset e saj gjatë vitit që lamë pas, ndryshimet në politikën dhe mënyrën si e sheh ajo politik-bërjen tash, për punën e fondacionit Jahjaga, pozitën e grave e të rinjve në shoqëri dhe planet për vitin e ri 2022.
Nga pozita e ish-presidentes së vendit, ajo foli për situatën politike dhe ndryshimet e bëra, duke kërkuar më shumë kohë në mënyrë që të shihen punët e Qeverisë aktuale.
Nga përvoja e saj pesë vjeçare si e para e shtetit, ish-presidentja zbuloi edhe një mësim që ka nxjerr, duke kërkuar po ashtu përfaqësim më të madh të grave, të rinjve e grupeve minoritare e të margjinalizuara në tryezat e vendim- marrjes dhe politik bërjes në Kosovë.
Jahjaga po ashtu ka folur edhe për sukseset dhe rritjen e Fondacionit Jahjaga gjatë vitit 2021, ndërkaq foli edhe për pozitën e grave në Kosovë e hapësirën që duhet tu jepet të rinjve në vend.