Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari priti sot në takim zëvendëskomandantin e Komandës së Forcave të Bashkuara në Napoli, Peter K. Scott.
Jashari e informoi Scottin mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe në Republikën e Kosovës, transmeton KosovaPost.
Sipas një postimi nga ana e FSK-së, Jashari gjithashtu e njoftoi Scottin për të arriturat e ushtrisë së Kosovës në harmoni me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.
“Gjithashtu Gjeneral Jashari e informoi atë mbi zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së në fushat funksionale luftarake drejt arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të FSK-së”, thuhet në njoftim.
“Po ashtu Gjeneral Jashari theksoi kontributin e FSK-së në arenën ndërkombëtare në ruajtjen e paqes dhe sigurisë duke përfshirë dislokimet e FSK-së jashtë vendit. Në takim u diskutua për mbështetjen e FSK-së për Ukrainën në linjë me objektivat e NATO-së dhe shteteve anëtare. Më specifikisht Gjeneral Jashari e informoi Gjeneralin Scott për kontributin e FSK-së në trajnimin e trupave të Ukrainës, për detyrat luftarake në operacionin “INTERFLEX” dhe trajnimin e kontingjenteve të Ukrainës në EOD. Gjeneral Jashari shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimin në mes të FSK-së dhe KFOR-it”.
Scott përgëzoi Jasharin për punën dhe angazhimin në ngritjen dhe avansimin profesional të FSK-së.
“Gjithashtu ai falënderoi Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës. Në fund të takimit të dy gjeneralët u pajtuan që në të ardhmen të rrisin më tutje bashkëpunimin”.