Presidenti i Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiq, deklaroi se “mund dhe duhet të gjendet një mënyrë” për të normalizuar jetën në gjithë rajonin, por nuk është parakusht i normalizimit anëtarësimi i Kosovës në OKB, përcjell Kosova Post.
“Nëse situata në Serbi ndryshon, unë besoj se ne do të jemi në gjendje të normalizojmë jetën në rajon pa njohur pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë,” tha Jeremiq gjatë një ligjërate me temë “Kombet e Bashkuara, Serbia dhe çështja e Kosovës” mbajtur në Universitetin e Osakës në Japoni.
Tutje ka shtuar Jeremiq se insistimi për njohjen e Kosovës do të na dërgojë në një konflikt të ngrirë.
“Nëse insistohet se njohja e Kosovës është një parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, atëherë ne do të gjendemi në një konflikt të ngrirë. Më mirë do të ishte të punojmë së bashku dhe të përparojmë” tha Jeremiq.
I pyetur në lidhje me mundësinë që Serbia ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur, Jeremiq tha se sipas mendimit tim “ai hap është i pamundur”.
“Serbia aktualisht nuk është në një situatë të favorshme, por jo për shkak të çështjes së pazgjidhur të Kosovës, por për shkak të heqjes dorë nga rendi demokratik në vend. Fatkeqësisht, ne nuk jemi më një shtet demokratik. Përveç Bjellorusisë, ne jemi i vetmi vend në Evropë pa opozitë në parlament,” shtoi Jeremiq.
Ai vlerësoi se një nga arsyet pse Serbia “rrëshqiti në diktaturën aktuale” është edhe fakti që “miqtë tanë në Perëndim në 2008 njohën pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të së ashtuquajturës Kosovë dhe kështu i dha një goditje të rëndë qeverisë së atëhershme demokratike në Beograd”, trasnmeton Danas.rs.
I pyetur nëse do të ishte mundësia e zgjidhjes së problemit të Kosovës duke shkëmbyer territor, Jeremiq tha se një zgjidhje e tillë do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për shkak të “efektit domino” në rajon.
“Unë mbështes normalizimin e plotë të kushteve të jetesës në Ballkan, por pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur. Unë mendoj se brezi ynë pasardhës mund ta arrijë atë qëllim,”tha Jeremiq./Kosova Post./