Zëdhënësi i Presidencës turke Ibrahim Kalin tha se marrëdhëniet turko-amerikane mund të zhvillohen në bazë të interesit dhe respektit të ndërsjellë, transmeton Kosova Post.
Kalin u takua me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në Zyrën Presidenciale në Dolmabahçe në Stamboll.
Gjatë takimit u diskutuan çështjet rajonale si Siria, Azerbajxhani, Armenia dhe Izraeli, veçanërisht lufta Rusi-Ukrainë, ndërsa u fol edhe për sigurinë energjetike, bashkëpunimin në mbrojtje, marrëdhëniet dypalëshe politike dhe ekonomike.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Kongresit Amerikan para takimit, Kalin tha se marrëdhëniet turko-amerikane kanë një histori të gjatë, ndërsa shtoi se marrëdhëniet u forcuan me anëtarësimin e Turqisë në NATO pas Luftës së Dytë Botërore dhe vazhduan në kuadër të aleancave strategjike deri më tani.
Kalin tha se krahas mosmarrëveshjeve për disa çështje, bashkëpunimi dhe interesi strategjik kanë dalë në plan të parë edhe në marrëdhëniet ekzistuese, duke shtuar se janë të kënaqur të nisin mekanizmin e ri të dialogut strategjik me vizitën e nënsekretares amerikane të shtetit Victoria Nuland në Turqi.
“Ne mund të zhvillojmë marrëdhëniet turko-amerikane mbi bazën e interesit dhe respektit të ndërsjellë”, tha ai.
Vëllimi i përbashkët tregtar i dy vendeve është afër 30 miliardë dollarë, tha Kalin, por theksoi se kjo nuk mjafton dhe se qëllimi është 100 miliardë dollarë.
Duke vënë në dukje se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e filluar më 24 shkurt do të ndryshojë shumë gjëra Kalin tha: “Ne po hyjmë në një epokë të re, në një luftë të ftohtë dhe duhet të përgatitemi për efektet e saj në të ardhmen. Ne duhet të përgatitemi për ushqimin, energjinë, sigurinë kibernetike dhe shumë çështje të tjera.”
Kalin tha se mirëpritën palët në konflikt në dy takime të rëndësishme në Antalia dhe Stamboll për t’i dhënë fund luftës dhe se ata ishin me shpresë pas bisedimeve, por se situata tani është relativisht e vështirë.
Zëdhënësi theksoi se ata ende po bëjnë maksimumin për t’i sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve.
Ndërkaq Senatori amerikan Richard Shelby tha: “Turqia është një mike shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe ne jemi këtu për të mbështetur këtë miqësi në kontekstin e marrëdhënieve tregtare, diplomatike dhe ushtarake. Turqia është një anëtare besnike e NATO-s, në të kaluarën dhe të tashmen. Kjo është diçka që ne e respektojmë.”trt.