Tashmë s’ka më dyshime, Naim Murseli ishte ai që urdhëroi vrasjen e bashkëshortes së Liridona Murseli! Ngjarja, referuar dhe dëshmisë së dhënë nga ish-këshilltari i ish-Presidentit Behgjet Pacolli, u ‘shit” si vrasje e ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur në dalje të Prishtinës. Por kjo e premte ka zbardhur detaje të reja ndërsa Naim Murseli së bashku me një autor të dyshuar, Granit Plava janë vënë në pranga.
Por kush e inskenoi?
Ngjarja e rëndë që tronditi opinion publik mbrëmjen e vonë të 29 nëntorit fshihte nga pas një mister të madh që fatmirësisht arriti të zbardhet dy ditë më pas. Atë natë, Liridona Murseli ishte në makinë me vrasësin e saj pa e ditur se çfarë e priste, për më tepër që e kishte të afërm (familjarin e bashkëshortit të saj). Por ai për 30 mijë euro e vrau në sy të fëmijëve të saj, të cilët mbrëmjen e 29 nëntorit do ta mbajnë mend përgjithmonë. Edhe për faktin se i ati u vrau nënën. Referuar dëshmisë së parë të dhënë nga Naim Murseli dhe babait të tij grabitësit pasi hasën në rezistencën e Liridonës hapën zjarr ndaj saj duke e lënë të vdekur në vend.
Ndërsa ai, pretendoi se kishte arritur të merrte fëmijët që ishin në sediljen e pasme dhe ishte larguar për të shpëtuar nga ata që i zunë pritë, që më vonë doli që e vetmja që ishte dërguar në pritën e pushkës ishte Liridona Murseli. Para efektivëve të Policisë, ai deklaronte se nuk i kishte parë autorët pasi kishte ikur bashkë me fëmijët ndërsa kishte dëgjuar vetëm krismat. Ndërkohë që shprehej se pas vrasjes së 33-vjeçares, autorët kishin marrë sendet me vlerë, paratë dhe aparatet celularë dhe ishin larguar. Por, fëmijët panë gjithçka, ata ishin dëshmitarë të një skene të tmerrshme që do i shoqërojë nga pas gjithë jetën.
Dëshmia e tij nuk i ka bindur efektivët e Policisë, të cilët kanë thelluar hetimet. Teksa Policia hetonte, Naim Murseli kishte hapur dyert e mortit për të përcjellë në banesën e fundit gruan, që dha urdhër të ekzekutohej, e pafajshme dhe në sy të fëmijëve të mitur. Autori Granit Plava ka treguar se Naimi i kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e gruas. Ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit do të zbardhej këtë të premete. Një nga të arrestuarit ka rrëfyer para Policisë se është paguar nga Naim Murseli për të vrarë nënën e dy fëmijëve të tij. Ndërkohë vetë, porositësi nuk ka folur ende.
Murseli dhe bashkëpunëtori i tij u tradhëtuan nga kamerat e sigurisë në zonë, por edhe nga një telefonatë e bërë vetëm pak para ngjarjes. Lanë shumë gjurmë që sot i fundosën.
E gjithë ngjarja duket se është një kopje e një kronike tjetër në një vend jo shumë larg Kosovës dhe Shqipërisë…në Greqi. Charalambos (Babis) Anagnostopoulos, me profesion pilot vrau gruan e tij 20-vjeçare Caroline Crouch. E gjithë skema duket se ishte e mirëmenduar. Fillimisht e mbyti në të njëjtin shtrat ku flinte dhe e bija dhe pastaj vrau qenin. Lidhi vetën dhe më pas mori Policinë në telefon duke raportuar një grabitje. Pikëpyetjet ishin të shumta, pse duhet autorët të vrisnin atë kur luftën mund t’ua bënte burri i shtëpisë? Sipas tij, ishte presion që t’u tregonte vendin ku ishin fshehur kursimet e tyre. Por dalëngadalë e gjitha u zbulua.
Në orën 00:35, kamera në dhomën e ndenjes së shtëpisë së shtëpisë regjistron shkrepjen e fundit. Babis duket se është ulur në divan duke përqafuar vajzën Lydia dhe duke shtypur me nervozizëm në celularin e tij. Ai shkëmben mesazhe me Caroline e cila ndodhet në papafingo. Marrëdhënia e çiftit praktikisht kishte marrë një kthesë për keq.
Në 1:20 piloti heq kartën e kujtesës nga kamerat dhe gjithçka fiket. Një lëvizje që tregon se 32-vjeçari duket se ka marrë vendimin e tij për të vrarë Caroline dhe për të sajuar një grabitje që nuk ka ndodhur kurrë.
Për rreth dy orë e 40 minuta çifti mund të shihet nga mesazhet që shkëmbyen se po grindeshin ashpër. Në orën 4:01 ora inteligjente e vajzës tregon stimulim intensiv të pulsit. Nga ai moment dhe për dhjetë minuta të tëra, ai e mbylli gojën dhe hundën e saj derisa ajo dha shpirt. Sipas orës inteligjente, koha kur zemra e Caroline pushoi së rrahuri ishtë në 4:11 të mëngjesit.
Pas kësaj, ora e pilotit tregoi një aktivitet të veçantë. Kishte lëvizur kudo dhe kishte ecur për të mbuluar shenjat e krimit për të shfajsuar veten. Kishte ecur me kishte rrahje të shpeshta zemre, gjë e çuditshme për një person që ka të lidhura duar e këmbë. Kaq mjaftoi për të kuptuar se kush ishte fajtori! Teksa pastronte gjurmët e tij, krijoi skenarin e disa grabitësve shqiptarë. Kaq mjaftoi, ishte formulë suksesi.
Për ditë me radhë mediat greke u morën me theksin e tyre, madje çmenduria shkoi deri aty saqë i krijuan edhe një identikit. Por ishte më thjeshtë se aq. “Shqiptari” nuk ekzistonte. Babis u arrestua dhe po vuan dënimin përjetë në një nga burgjet më të tmerrshme të Athinës. Ndërgjegjia nuk e ka vrarë ende sepse akoma kërkon lirinë e tij, ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk dihet përse e vrau! Por shembulli i tij mbeti. Naimi kishte 2 vite kohë për të krijuar planin perfekt që nuk dihet prej sa kohësh e mendonte, teksa Liridona i dhuronte dashuri dhe kujdesej për fëmijët që të dy kanë sjellë bashkë në këtë botë. Sot, ata përcollën në banesën e fundit nënën e tyre, por mbetën edhe pa babanë…vrasës!