Këshilltari i SHBA-së për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan këtë javë do të udhëtojë në Izrael dhe Palestinë, konfirmoi të hënën zëdhënësja e zyrtarit të lartë Emily Horne.
Sullivan do t’i bashkohet Brett McGurk, zëvendës ndihmës i presidentit Joe Biden dhe koordinator për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, dhe ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet e Lindjes së Mesme, Yael Lempert, tha Emily Horne.
“Sullivan do të takohet në Izrael me kryeministrin Naftali Bennett dhe zyrtarë të lartë të qeverisë izraelite për të riafirmuar përkushtimin e SHBA-së për sigurinë e Izraelit dhe për të diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi strategjike për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Izrael, përfshirë kërcënimin që paraqet Irani”, thuhet në një deklaratë.
Sullivan pritet gjithashtu të bashkëkryesojë Grupin e Katërt Konsultativ Strategjik (SCG) me homologun e tij izraelit, Eyal Hulat.
Në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar, Sullivan do të takohet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas për të diskutuar “përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve amerikano-palestineze dhe për të promovuar paqen dhe sigurinë për palestinezët dhe izraelitët”.