Komandanti i KFOR-it ka paralajmëruar kryetarët e komunave veriore se nuk do të tolerohen cenimi i lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, transmeton KosovaPost.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.
Gjatë këtij takimi komandanti i KFOR-it, diskutoi për situatën e përgjithshme, veçanërisht për aspektet e sigurisë në veri të Kosovës.
Ai gjithashtu e informoi Rakiq dhe përfaqësuesit e komunave për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të situatës në të ardhmen.
Gjenerali Ristuccia u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, të përmbahen nga dhuna dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.
“KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën mund të vazhdojë Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it