Ishte cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Kosovë e në Bosnjë, me këngën e tij “Kallashnikov”, por kjo nuk e ka ndaluar Bashkinë e Korçës që ta ftojë për koncert.
Në vitin 2006 kishte mbajtur koncert të madh në Tiranë, ku ishte vlerësuar me çmimin “Çelësi i Tiranës” nga Edi Rama, i cili atëkohë ishte kryetar i bashkisë.
Zëri e këngët e tij në gjuhën serbe pritet të jehojnë përsëri në Shqipëri. Kësaj radhe në Korçë, në Festën e Birrës, që organizohet nga 18 deri më 22 gusht.
Nga Bashkia e Korçës, e cila është organizatorja e Festës së Birrës, kanë deklaruar për gazetën Express se këngëtarët propozohen nga një kompani, që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi ose jo i tyre i takon Bashkisë.
“Bashkia është organizatorja e Festës së Birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani, e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të show-it propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh”, ka deklaruar për Expressin Larisa Katundi, nga Zyra për Media e Bashkisë së Korçës.
Megjithëse nga organizatorët tashmë është bërë e ditur se Bregoviqi pritet të jetë në Korçë, Katundi tha se nuk e di ende nëse është konfirmuar pjesëmarrja e tij.
“Nuk e di të them të drejtën, sepse organizatorët e festës e dinë këtë gjë dhe normalisht duhet pyetur ata që e menaxhojnë festën, unë merrem vetëm me pjesën e promocionit, kështu që nuk e di, akoma nuk na kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të jetë ose jo”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviqi pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri.
Ajo deklaroi se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën, por është art.
“I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri dhe jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.
Lajmi se Bregoviqi pritet të performojë në Korçë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, për shkak të qëndrimeve të tij anti-shqiptare dhe këngëve të tij që janë cilësuar si inspirim i ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë./GazetaExpress