Ministri Arben Vitia i është kundërpërgjigjur Memli Krasniqit, kryetarit, përkatësisht deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, rreth akuzave për mos-menaxhim të duhur të situatës së pandemisë, transmeton Kosova Post.
Sipas ministrit Vitia, përkundër asaj që procesin e vaksinimit e ka filluar vonë, Kosova është mjaft mirë e renditur, edhe në raport me vendet e rajonit.
“Më lejoni të ju përmirësoj në një, që po e quaj, gabim teknik. Ose për shkak të mungesës së informacionit… procesi i vaksinimit është duke shkuar jashtëzakonisht mirë, zoti Krasniqi, kemi filluar të fundit, për arsyet që i dimë, por tani, siç jeni të informuar ju edhe qytetarët e republikës, procesi i vaksinimit në Kosovë, i ka tejkaluar të gjitha vendet e rajonit, për sa iu përket dozave të administruara dhe përqindjes së popullatës së vaksinuar.”
Për më shumë, sipas Vitisë, Kosova, falë masave të marra në bazë të Ligjit anti-Covid, i ka vënë nën kontroll edhe variantet e reja, siç është ai delta./KosovaPost/