Për Kosovën, parimi i reciprocitetit për zgjidhjen lidhur me targat e makinave është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje për targat, pasi aktualisht është në fuqi një marrëveshje e përkohshme e targave, ku makinat nga Kosova dhe Serbia duhet të mbulojnë me letër ngjitëse simbolet shtetërore në targa.
“Më 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merremi vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty, ndërkaq për aspektet teknike e kemi grupin tonë teknik i cili merr pjesë atje si dhe kryengeciatorin i cili po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Por, ajo që e di që është e padiskutueshme, e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 18 prill.
Letrat ngjitëse të vendosura mbi simbolet shtetërore në një makinë me targa të Beogradit. Merdare, tetor 2021.
Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.
Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.
Kjo më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat. Por, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar në mars për REL-in se ishte optimist se grupet punuese do të prezantonin propozime për këtë çështje, për të cilat më pas do të vendosnin udhëheqja politike e të dyja shteteve.rel.