Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani të martën në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka emëruar tetë anëtarë të KQZ-së, ndërsa për emërimin e dy anëtarëve të tjerë Presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretimin e Nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u bazuar në nenin 84 si dhe nenin 113 të Kushtetutës, ku ekziston një paqartësi e këtyre dispozitave kushtetuese.
Ndaj kësaj kërkese të presidentes ka reaguar Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” i cili në një postim në Facebook, ka shkruar se “Presidentët në Kosovës janë duke e trajtuar Gjykatën Kushtetuese sikur të ishte zyrë ligjore e Presidencës”.
Tutje ka shkruar Krasniqi se kësaj praktike gjykata i ka dhënë fund kur kishte refuzuar kërkesat për sqarime të Presidentit Hashim Thaçi.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Presidentët në Kosovë po e trajtojnë Gjykatën Kushtetuese sikur të ishte zyre ligjore e Presidencës, duke i dërguar pyetje për interpretim të dispozitave kushtetuese sa herë që kanë paqartësi. Kësaj praktike Gjykata i ka dhënë fund kur kishte refuzuar kërkesat për sqarime të Presidentit Thaçi, madje njëra prej tyre kishte të bënte pikërisht me emërimin e anëtarëve të KQZ-së.