Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimeve me të dërguarin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka shprehur qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të Kosovës, percjell Kosova Post.
Kjo siç shkruan në facebook, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve.
“Ne besojmë se prioritet duhet të ketë angazhimi për arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Degradimi i Dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së këtyre objektivave shtetërore. PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Kosovës, sovranitetit të vendit tonë dhe të zbatimit te kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit”, ka thënë Krasniqi.
Lideri i opozitës po ashtu tha se gjatë takimit, ka shprehur bindjen se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, ai tha se kërkohet angazhimi i të gjitha palëve.
”Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm”, tha Krasniqi.
Kreu i PDK-së tha se në procesin e Dialogut i kanë dhënë hapësirën e nevojshme Kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Postimi i plotë:
Dje dhe sot kam takuar Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara dhe njëherësh të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkë me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në këto takime është diskutuar për zhvillimet rreth procesit të Dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në këto takime kam shprehë qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, kam shprehur bindjen tonë se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve. Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm.
Në procesin e Dialogut ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme Kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike.
Por, mungesa e transparencës nga ana e Kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dijnë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut.
Ne besojmë se prioritet duhet të ketë angazhimi për arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Degradimi i Dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së këtyre objektivave shtetërore.
PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Kosovës, sovranitetit të vendit tonë dhe të zbatimit te kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit.