Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se njoftimi i Pentagonit se do të dërgojë trupa amerikane në Evropë konfirmon shqetësimet e Rusisë për sigurinë, transmeton Kosova Post.
Peskov theksoi se SHBA vazhdon të përshkallëzojnë situatën në Evropë , pavarësisht apeleve të shumta të Rusisë për ta ndaluar atë.
“Në këtë rast nuk po flasim vetëm për deklarata provokuese, se së shpejti do të ketë luftë, se të gjithë do paguajnë një çmim të tmerrshëm e kështu me radhë, por po flasim për dërgimin e ushtarëve amerikanë në vendet evropiane afër kufijve tanë. Këto nuk janë hapa që synojnë de-përshkallëzimin, përkundrazi veprimet e tyre çojnë në rritje të tensioneve”, theksoi ai.
Peskov shtoi se në një situatë të tillë, shqetësimi i Rusisë është absolutisht i kuptueshëm dhe i justifikuar, përfshirë edhe masat që mund të marrë udhëheqja e vendit për mbrojte.
Dje, Pentagoni njoftoi transferimin e rreth 1.000 trupave amerikane nga Gjermania në Rumani dhe 2.000 të tjerë nga SHBA-ja në Gjermani dhe Poloni.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Rusia u paraqiti SHBA-së dhe NATO-s propozimin e saj për garancitë e sigurisë në Evropë, që merr parasysh interesat e vendit. Pas një sërë bisedimesh, më 27 janar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO i dërguan Ministrisë së Jashtme ruse përgjigjet e tyre me shkrim për propozimet./aa