Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB) të ndërhyjnë urgjentisht për të ndaluar sulmet izraelite në Gaza, transmeton Kosova Post.
Shtayyeh tha në një deklaratë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet gjithashtu të ndërhyjë për të ndaluar sulmet e Izraelit ndaj Al-Aksasë.
Ai gjithashtu u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që të dënojnë me forcë sulmet izraelite dhe paralajmëroi se tensionet mund të çojnë në një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit.
Shtayyeh po ashtu urdhëroi ministrat në qeverinë palestineze të sigurojnë të gjitha pajisjet shëndetësore dhe mjekësore në Gaza.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se numri i të vdekurve në sulmet izraelite në Gaza është rritur në të paktën 24, ndërsa 103 njerëz u plagosën. Sipas deklaratës, të paktën nëntë fëmijë ishin midis 24 martirëve që u vranë.
Palestinezët në Kuds kanë protestuar për disa ditë në lidhje me sulmet izraelite dhe vendimet e gjykatës për të dëbuar familjet palestineze nga lagjja Sheikh Jarrah. Situata u përshkallëzua pasi forcat izraelite u përpoqën të shpërndanin besimtarët nga kompleksi i Xhamisë Al-Aksa të premten. (AA)