Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim për audiencën ndërkombëtare në rrjetin social Twitter për Pakon e mbështetjes financiare me vlerë prej 100 milionë euro të qeverisë Kurti, përcjell KosovaPost.
Kurti poston në Twitter sa herë që e sheh të rëndësishme t’u tregojë diçka ndërkombëtarëve.
Kësaj radhe ai u “mburr” për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, studentët dhe punëtorët si dhe për mbështetjen financiare ndaj familjeve në nevojë.
Kurti ka prezantuar sot disa masa të reja në kuadër të pakos me qëllim të mbështetjes financiare për qytetarët, në kohën e ngritjes së çmimeve në vend.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, kryeministri Kurti tha se me nga 100 euro si masë e njëhershme do të ndihmohen familjet me asistencë sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe studentët.
Vlera totale e të gjitha këtyre masave, Kurti tha se është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose, praktikisht, secila familje e Kosovës.
Murati bëri të ditur se pensionistët do të marrin shtesat të premten, ose më së largu të hënën. Punëtorët e sektorit publik do i marrin në fund të muajit ndërsa për punëtorët e sektorit privat dhe studentëve nuk dha datë të saktë.