Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi sot ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Ai gjatë këtij takimi ka thënë se është e nevojshme që BE-ja t’i heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj Kosovës, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit nga Qeveria, kryeministri u ka thënë ambasadorëve se arsyet për të cilat janë vendosur masat ndëshkuese, kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprime në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Tutje në komunikatë bëhet e ditur se qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.
“Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij takimi kryeministri Kurti shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.