Një ditë pasi u lirua nga detyra, ish-komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, është pritur në takim nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Këtë e bëri të ditur Mehaj me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, teksa njoftoi edhe për emërimin e tij në RACVIAC.
“Pas lirimit nga detyra e Komandantit të FSK-së, sot në zyrën time prita Gjeneral Rrahman Ramën. Eksperienca e madhe profesionale dhe lidershipit ushtarak të Gjeneral Ramës do të jetë shumë e rëndësishme për diplomacinë tonë të mbrojtjes dhe sigurisë në detyrën e re në RACVIAC”, ka shkruar Mehaj në ‘Facebook’.
RACVIAC është Qendra për Bashkëpunim në Siguri në Kroaci, pjesë e së cilës Kosova është që nga viti 2014.
Misioni i qendrës është nxitja e dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në Evropën Juglindore. Që nga viti 2000, duke reflektuar vizionin dhe misionin e tij, RACVIAC ka promovuar vazhdimisht paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore dhe ka kontribuar më tej në ngritjen e kapaciteteve institucionale të vendeve në trajtimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë, duke rritur aftësitë e tyre qeverisëse dhe duke i mbështetur ato në zbatojnë dhe përmbushin në mënyrë efektive detyrimet dhe angazhimet e tyre që rrjedhin nga agjendat e sigurisë së BE-së dhe Euro-Atlantikut.