Kurti bashkatdhetarëve në Berlin: Ejani investoni, në Kosovë mund të fitohet

Pas Munihut, Shtutgartit dhe Këlnit, një tjetër takim me bashkatdhetarë ka zhvilluar kryeministri i Kosovës, Albi Kurti në Gjermani.

Në kryeqendrën gjermane,Berlin,  kreu qeveritar u prit nga bashkatdhetarë që jetojnë atje.

Nën shoqërimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, kryeministri u ka treguar atyre për të arriturat e sukseset e Kosovës gjatë qeverisjes së tij.

Siç bëhet e ditur nga komunikata qeveritare drejtuesi i qeverisë kosovare e  ka ftuar mërgatën të vijnë sa më shumë në Kosovë derisa i ka njohur edhe me mundësitë institucionale të krijuara për ta, përfshirë Programin për Diplomacinë Qytetare dhe mundësitë që ofron statuti i ri i Universitetit të Prishtinës për akademikët nga mërgata.

“Për dallim nga para tri dekada kur thoshim ejani të kontribuoni duke sakrifikuar, tani themi ejani të fitoni duke investuar. Në Kosovë mund të fitohet”, citohet t’u ketë thënë kryeministri mërgatës ne Berlin.

Duke folur për rolin e rëndësishëm që mërgata ka luajtur ndër vite, kreu qeveritar ka thënë se mbijetesa në vitet e ’80-ta dhe mbijetesa në vitet e ’90-ta me rezistencën paqësore nuk do të mund të mbahej pa ta, lufta çlirimtare gjithashtu nuk do të mund të mirëmbahej pa ta, dhe zhvillimin e pasluftës po bëhet bashkë me ta.

Në adresimin e tij,sipas njoftimit,  kryeministri gjithashtu veçoi arsimin dual që në Kosovë po zhvillohet në 23 shkolla, 14 komuna dhe 12 profile nga të cilat kanë përfituar 1600 nxënës, e që bazohet dhe frymëzohet pikërisht nga vendet gjermanishtfolëse dhe për të cilat kemi mësuar shumë nga përvojat e vet mërgatës sonë.

“Nëse ka një gjë që është më e rëndësishme edhe se ekonomia, edhe se arsimi, është lidhja e ekonomisë me arsimin”, shtoi më tej kryeministri teksa foli për përfitimet nga arsimi dual.

Ndër të tjera, ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve të brezit të dytë dhe të tretë që ta mësojnë gjuhë shqipe me sa më shumë përkushtim dhe disiplinë.

 “Mësimi i gjuhës shqipe është jo vetëm mundësia e dëshmia, por unë besoj është edhe garancia, se integrimi pa asimilim ndodhë, dhe kjo është ajo që na duhet neve, integrim pa asimilim”.

Ky ishte takimi i katërt me radhë i kryeministrit Kurti në qytete të Gjermanisë gjatë kësaj fundjave.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika