Kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie Albin Kurti, dje ka bërë homazhe tek shtatorja e presidentit historik Ibrahim Rugova në Istog, të cilin VV’ja e quante “kolaboracionist” në komunikatën e fshirë nga uebfaqja e kësaj partie.
Albin Kurti pas 20 vjetësh çlirim kishte bërë homazhe tek varri i presidentit Rugova për herë të parë më 17 shkurt të vitit të kaluar në 12-vjetorin e pavarësisë si shef i qeverisë.
Kreu i VV’së homazhe tek varri i Rugovës ka bërë edhe si kryetar i partisë para një muaji më 21 janar të këtij viti së bashku me Vjosa Osmanin në përvjetorin e 15-të të vdekjes së ish-presidentit.
Albin Kurti dhe numri dy në listën e VV’së, Vjosa Osmani dje kanë vizituar Istogun, dhe kanë bërë nderime tek shtatorja e presidentit Rugova që u zbulua për nder të ditëlindjes së 76-të të tij më 2 dhjetor 2020./ge
Tek fotografitë e postuara në profilet e Kurtit dhe Osmanit në Facebook bien në sy edhe dallimet në fotografitë e tyre të realizuara tek shtatorja e Rugovës.
Kurti është përkujdesur që ai të mos duket duke bërë homazhe pranë shtatores së ish-presidentit nëpër fotografitë e postuara, kurse Osmani ka postuar fotografinë ku ajo dhe Kurti bëjnë homazhe tek shtatorja.