Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth vendosjes së reciprocitetit ndaj shtetit serb, për çka Kurti, para zgjedhjeve kishte thënë se do të jetë çështje ditësh, e assesi javësh e as muajsh.
Kurti në Kuvend ka thënë se Qeveria që ai drejton është për vendosjen e reciprocitetit, por se ka nevojë për kohë në mënyrë që reciprociteti të zbatohet e të mos dështojë.
“Se jemi për reciprocitet kjo nuk do mend, por ajo çka do të bëjmë është ta mundësojmë atë. Para një muaji është miratuar propozimi që unë kam marrë për drejtorin e ri të doganave, tash Kosova ka drejtor të ri të doganave, Serbia përgjithësisht bën barreriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës. Për ta zbatuar reciprocitetin për të cilin jemi zotuar duhet tu bëjmë ballë barrierave sporadike dhe sistemike. Na duhet kohë që ta zbatojmë reciprocitetin në mënyrë që të mos dështojmë. Jemi Qeveria e parë që merret me reciprocitetin. Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, por si parim që del nga parimi i barazisë. Ne do ta zbatojmë reciprocitetin në kohën kur jemi të gatshëm për zbatimin e plotë të tij”, u shpreh Kurti.