Para takimit mes kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasditen e 4 majit në Berlin, ata ndaras do të kenë takime me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Deri më tash nuk është se janë dhënë shumë detaje për agjendën me orë të caktuar, por ajo që është konfirmuar tashmë edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është se do të ketë konferencë të përbashkët për media të kryeministrit Kurti e kancelarit Scholz.
“Nesër, kancelari Scholz do të presë kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq në takime të ndara në Berlin. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, do të ketë konferencë të përbashkët nga ora 16:00”, njoftoi Rohde.
Ambasadori Rohde në llogarinë e tij në Twitter deklaroi se që të dyja takimet do të fokusohen në koordinime të mëtutjeshme në reagimin ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, marrëdhëniet politike e ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.
“Në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar me BE-në, kancelari Scholz ka ftuar Miroslav Lajçak, i cili do të mbajë një takim të përbashkët me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq në mbrëmje në Berlin”, përfundon shkrimi i Rohde.
Është zyra e kancelarit të Gjermanisë e cila ditë më parë njoftoi për takimin e 4 majit në Berlin,me ftesë të kancelarit Scholz, mes kryeministrit Kurti e presidentit Vuciq ku i pranishëm do të jetë edhe i dërguari i posacëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.