Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pasi që komuna e Drenasit u shpall si komuna me performance më të mirë, për çka edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i dorëzoi çmimin kryetarit të kësaj komune, Ramiz Lladrovcit.
Hoxhaj me anë të një postimi në Facebook, ka përgëzuar Lladrovcin, i cili sipas tij gjatë gjithë këtyre viteve ka treguar përkushtim në detyrën e tij.
Tutje ka shkruar Hoxhaj në Facebook se “Kjo është qeveria e PDK-së e cila do të instalohet edhe në komunat e tjera”.
Postimi i plotë i Hoxhajt në Facebook:
Për të disatën herë me radhë, komuna e Drenasit e udhëhequr nga kryetari i palodhur Ramiz Lladrovci është shpallur si komuna me performancën më të mirë. Institucionet e vendit dhe ambasadat e shteteve tona mike si Zvicra, Suedia dhe Norvegjia kanë vlerësuar se Komuna e Drenasit ka qenë më e dalluara në qeverisje demokratike, menaxhim komunal shembullor dhe ofrim të shërbimeve cilësore, për çka do t’i ndahen grante zhvillimore.
Përgëzoj kryetarin dhe mikun tim, Ramiz Lladrovci i cili gjatë gjithë këtyre viteve ka treguar përkushtim, përgjegjësi dhe vullnet të jashtëzakonshëm për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Drenasit.
Kjo është qeverisja e PDK-së dhe shembulli të cilin do ta ndjekim nëpër të gjitha komunat tjera.