Aktualisht është duke u mbajtur mbledhja e rradhës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën hapëse përmendi edhe suksesin e fundit të Kosovës, duke kaluar në 17 vende më mirë e më lartë sa i përket korrupsionit në Kosovë, shkruan KosovaPost.
“Ky sukses do të reflektohet në vendimet e Brukselit për vendin tonë. Që kur e morëm detyrën në mars të vitit 2021, dëshmuam vendosmëri për shkatërrimin e luftimit të korrupsionit në çdo cep të vendit”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri përmendi edhe operacionet e realizuara nga policia e Kosovës.
“Nga periudha janar-dhjetor 2021, janë realizuar 571 operacione policore, janë goditur 49 grupe kriminale. Krahasuar me vitin 2020, këto shifra tregojnë ngritje për 75 përqind, dhe me vitin 2019, 32.4 përqind. Vlerësimi pozitiv i Transparency International, na inkurajon në rrugën e vazhdueshme drejt luftimit të korrupsionit, duhet shumë punë, por s’do të ndalemi asnjëherë”.
“Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit. Do të triumfojmë me vendosjen e drejtësisë, rendit dhe ligjit që Kosova sa më shpejt të radhitet në renditjen globale të shteteve të sigurta pa korrupsion”, tha Kurti.
Tutje Kurti theksoi se është shumë e rëndësishme që të respektohen masat e Qeverisë AntiCovid, ku ai shtoi se numër kaq të madh të rasteve nuk ka pasur në Kosovë që nga muaji gusht i vitit të kaluar.
Ai tha se respektimi i masave anti-Covid është arma e vetme kundër virusit, ndërsa ka bërë thirrje për vaksinimin me dozën e tretë.
“Neve po na duhet të kujdesemi si për shëndetin e popullsisë, po ashtu edhe për kapacitetet e shëndetësisë. Të gjithë i dijmë kushtet në spitalet tona. Nga koronavirusi humbëm më të dashurit tonë, 3002 qytetarë të këtij vendi, pardje është shënuar viktima e 3000-të, ju shpreh ngushëllimë miqve dhe familjarëve tanë. Përballë kësaj gjendje, qëllimi kryesor është të shpëtojmë jetë. Ne duhet të përkujdesemi ta izolojmë këtë virus që ne të mos izolohemi nga virusi. Zbatimi i masave të IKSHPK-së janë arma e vetme ndaj këtij virusi. Vlerësimi shkencor i paraprin çdo veprimi politik a qeveritar. U bëj thirrje të gjithëve të vaksinoheni, t’i ftoni të tjerët të vaksinoheni. Ta marrim dozën e tretë përforcuese. Ta ruajmë shëndetin tonë dhe të tjetrit, e të secilit.”, tha Kurti.